KShC: Ministri nuk është konsultuar me ne për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni ka deklaruar për KALLXO.com se nuk janë konsultuar nga ana e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ne sapo jemi informuar për vendimin dhe KShC-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë çështje”, tha ai.

Sot, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2019/20.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Si arsyetim Likaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së ministrit, Armend Zemaj, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, derisa ka shtuar se është konsultuar me Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë për vendimin e tij.

Kujtojmë se Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar tek ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tek menaxhmenti i UP-së dhe tek dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë dhe as rektori i UP-së, Naser Sahiti nuk janë pajtuar me kërkesën e ministrit, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve.

Edhe vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Kujtojmë se KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi