Shefja e UNMIK, Caroline Ziadeh. FOTO: Screenshot Presidenca e Kosovës/Facebook.

KS i OKB-së diskuton për Kosovën, shefja e UNMIK-ut thotë se situata në terren mbetet e brishtë

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, më 30.10.2024, ka përmendur rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës për suspendimin e dy policëve mbi pretendimet për rrahjen e një qytetari serb.

Ajo ka thënë se rezultatet e hetimeve të IPK-së duhet të jenë publikisht të disponueshme.

“Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit për vetura dhe pastaj si reagim ndaj një numri të arrestimeve për vepra të shkeljes së rendit dhe qetësisë publike, kemi vërejtur aktivizëm civil. Dua ta shpreh brengën për sa i përket arrestimit të individëve për ushtrimin e lirisë së shprehjes së tyre. Në javët e fundit ka pasur numër pretendimesh për përdorim të tepërt të forcës dhe keqtrajtimit nga Policia gjatë arrestimeve dhe mbajtjes policore në veri të Kosovës. Ka hetime në vazhdim nga Inspektorati policor i Kosovës sa i përket këtyre pretendimeve. Zbulimet e Inspektoratit duhet të bëhen publikisht të disponueshme pasi të bëhet hetimi”- u shpreh ajo.

“Para pak minutash IPK sapo ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor të angazhuar në mbajtjen e një serbi të Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ me 26 tetor”- ka shtuar tutje Ziadeh.

Ajo ka thënë se ka një aspiratë për një dialog konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë edhe pse, sipas saj situata në terren vazhdon të mbetet e brishtë dhe progresi mbetet vetëm tentativë.

“Gjatë vizitës sime të fundit në veri të Kosovës në shtator, organizatat e shoqërisë civile dhe banorët aty kanë adresuar shqetësime sa i përket ndikimit negativ nga veprimet e njëanëshme. Ata kanë shpjeguar se mbyllja e Postes së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga qeveria e Serbisë edhe atë të fundit në Skenderaj, kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime kyqe të komunitetit të Serbisë në Kosovë”- ka thënë ajo.

Në lidhje me incidentin që ka ndodhur të shtunën më 26.10.2024, pas mesnate, kur policia arrestoi dhe shoqëroi Millosh Subotiqin nën dyshimin se kishte dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë sepse pretendohet se të njëjtit kanë keqtrajtuar qytetin në fjalë.

“Duke ju referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut”- thuhet në përgigjen e IPK-së më 30.10.2024.

Ky veprim sipas Inpektoratit është marr në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Ziadeh ka përkujtuar se që nga sulmi në Banjskë ka vazhduar të bëjë thirrje për llogaridhënie të kryerësve të këtij akti përmes një hetimi të thellë e proces gjyqësor të plotë.

Pretendimet për rrahjen e qytetarit serb, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandon suspedimin e dy zyrtarëve policorë