Foto: Kryqi i Kuq

Kryqi i Kuq i Kosovës ligjëratë për HIV/AIDS para 4.000 nxënësve

Kryqi i Kuq i Kosovës ka mbajtur ligjërata të vetëdijesimit për HIV/AIDS në 26 komuna të vendit, duke përfshirë rreth 4.000 nxënës.

“Gjatë muajit nëntor vullnetarët e Kryqit të Kuq të Kosovës kanë mbajtur sesione – ligjërata lidhur me sëmundjen e HIV/AIDS-it për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në 26 komuna të Kosovës dhe janë përfshirë rreth 4.000 nxënës në këto sesione”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, gjatë këtyre sesioneve është vërejtur një interesim i madh i të rinjve për njohuri rreth sëmundjes së HIV/AIDS-it, mënyrat e mbrojtjes nga kjo sëmundje, si dhe mbështetja e të prekurve nga kjo sëmundje nga ana e komunitetit.

Gjashtë raste të reja janë identifikuar në Kosovë me virusin HIV/AIDS vetëm gjatë vitit 2019. Nga këto raste, dy prej tyre kanë vdekur si pasojë e identifikimit të vonë.

Në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë në vitin 1986 janë të prekur 128 persona me këtë virus. Deri më tani 51 kanë vdekur, ndërsa 36 raste janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare.

Megjithatë, Kosova hyn në listën e vendeve me përqindje të ulët të të prekurve me HIV/AIDS.

Në vitin 2018 sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë vdekur 770 mijë njerëz nga shkaqe të lidhura me HIV dhe 1.7 milion njerëz ishin infektuar rishtazi.

Sipas OBSh-së, më 2018, për herë të parë, individë nga grupet kryesore të popullsisë dhe partnerët e tyre seksualë përbënin mbi gjysmën e të gjitha infeksioneve të reja HIV në nivel global (përafërsisht 54%) më 2018. Për rajonet e Europës Lindore, Azisë Qendrore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, këto grupe llogaritnin rreth 95% të infeksioneve të reja me HIV.

Po ashtu, sipas OBSh-së, midis viteve 2000 dhe 2018, infeksionet e reja me HIV ranë në 37% dhe vdekjet e lidhura me HIV ranë me 45%, me 13.6 milionë jetë të shpëtuara për shkak të terapisë antiretrovirale (ART).

https://kallxo.com/gjate/dy-te-vdekur-nga-hiv-aids-kete-vit-ne-kosove/

www.kallxo.com