Perparim Kryeziu, Foto:facebook

Kryeziu: Vota e gjithsecilit do të mbrohet, s'do të tjetërsohet vullneti i qytetarëve

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria nuk ka të bëjë me serverët dhe software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në Zgjedhje dhe rezultateve preliminare.

Sipas tij, akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të Sistemit digjital të KQZ-së janë “përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në Zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë, kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik.” – ka thënë ai.

Kryeziu ka thënë se vota e gjithsecilit do të mbrohet dhe se vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet.

“Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në Zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet. Vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet.” – ka shkruar ai.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.

KQZ njofton se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.

Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike ka filluar më 11.02.2025, në Qendrat Komunale të Numërimit, në: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.

Gjatë ditës, KQZ paralajmëron se do të fillojë numërimi edhe në Qendra të tjera.

Me 99.53% të votave të numëruara deri në orën 17:20, më 11.02.2025, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para, me 340.641 vota, apo 40.89%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.05% të votave, apo 183.661 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta, me 17.62%, apo 146.815 vota.

Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave, apo 62.111.