Kryeziu: Tre muaj pas marrëveshjes së Uashingtonit, Qeveria s’flet shumë për investimet

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka deklaruar sot, se tre muaj pas takimit të Uashingtonit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, është treguar se ky takim, sipas tij, nuk ishte fare historik.

“Kanë kaluar tre muaj që nga takimi dhe zotimet e Washingtonit. Pavarësisht përpjekjeve industriale që kjo ngjarje të paraqitet si historike për nga arritja, nuk u desh të kalojë shumë kohë për t’u bërë e qartë se ky takim në fakt ishte historik për arsye krejt të gabuara. Të ekzaltuar nga ekskurzioni historik në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni kosovar u bë shkak e hisedar për një kapitull të ri të historisë së Serbisë në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Kryeziut, pavarësisht premtimeve për investime në Kosovë, një gjë e tillë më nuk është diskutuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Përball lëshimeve e kompromiseve të mëdha të 4 shtatorit në dëm e kurriz të vendit, qeveria jolegjitime provonte të arsyetohej me premtimet për investime miliardëshe që kinse do ta transformonin ekonominë e vendit dhe njohjen nga shteti i Izraelit. Që atëherë e 90 ditë pas, çdo ditë e më pak flitet për këto investime, që herë thuhej që ishin miliardëshe e herë milionëshe, kurse ende nuk ka njoftim zyrtar për njohjen nga Izraeli”, thotë më tej ai.

Kryeziu po ashtu thotë se zotimet e kryeministrit, Avdullah Hoti ishin të dëmshme për vendin.

“Meqë këto zotime të njëanshme të Hotit ishin të dëmshme për vendin pavarësisht premtimeve për investime e njohjes nga Izraeli, atëherë çka janë pa ato pos se një dëm politik e dështim diplomatik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas së cilës Kosova dha gati krejt çka pati, krejt çka iu kërkua e nuk morri asgjë çka duhej”, thotë zëdhënësi i LVV-së.

Në fund ai thotë se 4 shtatori “konfirmoi edhe një herë paaftësinë e këtij klubi të stërvjetëruar politik për ta mbrojtur dhe avancuar Republikën”.

Më 4 shtator, delegacioni i Kosovës dhe Serbisë kanë nënshkruar një marrëveshje ekonomike në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja e 4 shtatorit parasheh bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova, sipas marrëveshjes, po ashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket Liqenit të Ujmanit, në marrëveshje thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.