Kryeziu për rastin e ambasadorit: Jemi për llogaridhënie mbi dëshmi dhe prova, e jo pretendime

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Qeveria është e interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime, pas dyshimeve se ambasadori i Kosovës në Zagreb të Kroacisë, Martin Berishaj është i përfshirë në një skandal financiar. 

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ambasadori Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë.  

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër. Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, ka shkruar Kryeziu në Facebook. 

Mediat sllovene kanë ngritur dyshimet se Berishaj ka transferuar një shumë të madhe të parave nga një kompani në Mal të Zi.  

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Pretendimet e medias sllovene janë mohuar nga ambasadori Berishaj, i cili ka paralajmëruar edhe padi ndaj kësaj media. 

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni. Po ashtu është kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.