Kryeziu: Kabineti i Qeverisë Kurti nuk është në listë të zezë për viza të ShBA-së

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj një deklarate të cilën e ka thënë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë një interviste.

Kryeziu ka thënë se ministrat e kabinetit Kurti nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë të ShBA-së.

“Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Lufti Haziri, mbrëmë në një intervistë ka deklaruar se Kabineti i Qeverisë Kurti është në listë të zezë sa i përket pajisjes me viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Sipas tij, “gjithë kabineti ka qenë, është nën kufizime” dhe ministrat e kabinetit janë në “listë të zezë, që nuk marrin viza, nuk mund të marrin viza udhëtimi për në Amerikë. Kjo deklaratë e tij nuk qëndron”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kryeziu ka thënë se kabineti i Qeverisë në detyrë Kurti, pjesë e së cilit janë edhe ministrat nga LDK-ja, nuk ka kufizime të tilla.

“Ministrat e kabinetit dhe Kryeministri Kurti nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për më tepër Kryeministri Kurti veçse ka vizë amerikane valide. Është për t’u habitur mungesa e informacioneve me të cilat zyrtarë të lartë politik dhe institucional veprojnë, aq sa edhe nga papërgjegjësia e tyre për të shpërndarë në opinion publik deklarata dezinformuese”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.