Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetarja e Preshevës kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin për hyrjet e qytetarëve të Luginës

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID-19 ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të komunës së Preshevës.

Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që çdo person që hyn në Kosovë duhet të ketë  si dëshmi certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza ose atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ jo më herët se 48 orë para nisjes.

Kryetarja e Preshevës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim pasi që sipas saj është një numër i madh i qytetarëve të Preshevës që hyn në Kosovë.

“Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

Vendimi i Qeverisë e Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVId-19 i cili ka hyrë në fuqi me 22 janar, përfshirë masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës, përkatësisht nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza, atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj.

Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë.