Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë bën thirrje për kufij formal në mes Kosovës dhe Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë bashkë, që t’i kthejnë kufijtë e tyre, në kufij formal në mes vete.
Duke folur në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Nikolla tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve.
“Shqipëria dhe Kosova si dy entitete shtetërore të shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratat në integrimin europian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’i shndërruar kufijtë shtetërorë mes dy vendeve, por edhe me fqinjët, në kufi formal. Për këtë kanë rol të madh dy Kuvendet tona që duhet të japin kontributin e tyre në fushën e legjislacionit, një premisë e domosdoshme për një strategji të zhvillimit të përbashkët” – ka thënë Nikolla.
Ajo tha se kjo ditë, është e pa harruar pasi që po shënohet për herë të parë në këtë mënyrë.
“Kuvendi i Shqipërisë dhe Kosovës mblidhen bashkë në mënyrë solemne e festive, për të shënuar 110 vjetorin e ngritjes së flamurit të Gjergj Kastriotit në Vlorën e 1912-ës, nga ati pagëzues Ismail Qemaili, lavdia e të cilit nuk ka nevojë për asgjë, e jona ka nevojë për të tijën, sot, nesër e përgjithmonë” – tha Nikolla para deputetëve të të dy Kuvendeve.
“Nderë e lavdi pa fund burrave të pavarësisë, ideologëve, luftëtarëve, firmëtarëve dhe mbrojtësve të saj me pendë e pushkë. Shqipëria e Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike e me miq dhe aleatë të mëdhenjë si SHBA dhe BE, me insipiratë integrimin drejt Brukselit. Ajo cka ndodhi me 28 nëntor 1912 ishte guri i themelit që do të ndërtohej e ardhmja” – tha ndër të tjera Nikolla.
Për herë të parë në histori, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po mbajnë mbledhje të përbashkët, për të shënuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Fillon mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës