Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves
Kryetarja e Kuvendit, përkujton 21 vjetorin e Masakrës së Dubravës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot ka përkujtuar 21 vjetorin e Masakrës së Dubravës.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, maj të vitit 1999, 21 vjet më parë ka ndodhur një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës.
“Afro 1 mijë të burgosur të rreshtuar në oborrin e burgut, u qëlluan mizorisht nga ana e forcave serbe të sigurisë. Ndërmjet datave 18 e 24 maj, në burgun e sigurisë së lartë janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se të burgosurit u vranë dhe u ekzekutuan pa ndonjë urdhër gjyqësor. Sipas komunikatës thuhet se kjo ishte shpërfaqje e veprimit gjenocidal të shtetit serb jo vetëm ndaj të burgosurve, por edhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
“Për këtë masakër ende nuk është dënuar askush. Një kallëzim penal i dorëzuar më në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës për ish- Jugosllavi nuk është trajtuar asnjëherë. Siç nuk është trajtuar as një kallëzimi penal i të burgosurve të shpëtuar i dorëzuar në Prokurorinë e Qarkut në Pejë, 12 vjet më parë”, thuhet në komunikatë ku kërkohet që autorët të dënohen.