Foto: TV21

Kryetarja e Krushës së Vogël: Hapja e varreve çdo vit, hap plagë

Sot në 23 vjetorin e masakrës janë rivarrosur me ceremoni shtetërore shtatë viktimat e Masakrës së Krushës së Vogël.

Në këtë përvjetor u rivarrosën mbetjet mortore të Hysen Zylfiut, Nue Prenkaj, Sami Shehu, Ahmet Berisha, Nuredin Shehu, Skifter Batusha dhe Sahit Shehu.

Në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të masakrës së Krushës së Vogël, kryetarja e këtij fshati, Shpresa Shehu tha se çdo vit hapja e varreve shkakton dhimbje.

“Çdo vit hapja e varreve hap plagë, shkakton dhembje por më e madhe është dhimbja se kur do të vijë ajo ditë që të identifikohen të dashuritë tanë të pagjetur”, tha ajo në fjalën e saj.

Ajo kërkoi nga institucionet e Kosovës që të punojmë më shumë për fatin e të pagjeturve.

“Kjo pamje që kemi sot para nesh duhet të trokasë në ndërgjegjen e secilit politikan secili qytetarë i Kosovës ka obligim moral e njerëzor që të punojë shumë e më shumë në këtë drejtim për zbardhjen e fatit të pagjeturve . Gjetja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim”, tha Shehu.

Kryetarja e fshatit Krushë e Vogël po ashtu tha se vendimi i Gjykatës së Apelit për përgjysmimin e dënimit për të akuzuarin, Darko Tasiq, sipas saj është dështim i drejtësisë.

“Ne familjaret jemi të zhgënjyer dhe të irrituar me vendimin e Gjykatës së Apelit për të vetmin të dënuar në këtë ngjarje Daro Tasiq, të cili ju përgjysmua dënimi. Ky është dështim i drejtësisë. Ne kërkojmë të vihet drejtësia në vend!”, tha Shehu më tej.