Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns: Qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës është joproporcional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i përgatitur t’i konsiderojë zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës me shumicë serbe, pasi disa burime britanike shprehën shqetësimin se SHBA dhe BE po bëjnë një gabim duke e kërcënuar aleatin e tyre me ndëshkim lidhur me mënyrën se si Kurti i ka trajtuar ngjarjet përplasjet e fundit në veriun e Kosovës.

Një ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se i dërguari i BE-së në Kosovë duhet të qëndrojë mënjanë, ndërsa kryetarja e komisionit për punë të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e ka paralajmëruar SHBA-në kundër ndëshkimit joproporcional të Kurtit.

Emmanuel Macron, presidenti francez, ka thënë se Kurti ka bërë gabime dhe se do ta takojë të njëjtin së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Pas përleshjeve të fundit që lanë të plagosur 30 anëtarë të misionit të Forcave të NATO-s në Kosovë (K-For), NATO tha se po dërgon 700 trupa shtesë për ta forcuar misionin K-For prej 4,000 trupash sa ka aktualisht, shkruan mediumi anglez The Guardian. 

Trupat paqëruajtëse i kanë mbrojtur godinat e komunave nga turmat nacionaliste serbe.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka vendosur ushtrinë e tij në gatishmëri të plotë luftarake dhe i ka urdhëruar njësitë që të pozicionohen më afër kufirit.

Duke folur në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë, kryeministri i Kosovës Kurti deklaroi: “Nëse do të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishte mirëkuptimin tim, por jo turmat me shkronjën Z [një simbol pro-rus] që qëllojnë kundër ushtarëve dhe policëve me granata, duke brohoritur ‘vrit, vrit’. Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë republikën tonë demokratike. Nëse duan protesta paqësore që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta pajtohet me ta”.

SHBA dhe BE e kanë qortuar Kosovën, normalisht aleatin e tyre, për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për t’i vendosur kryetarët e sapozgjedhur të komunave me etni shqiptare në zyrat e tyre i ka minuar përpjekjet për t’i përmirësuar marrëdhëniet e trazuara dypalëshe. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha: “Do të habitesha nëse ndonjë zyrtar i qeverisë kosovare do të mund ta vizitonte SHBA-në në këtë kohë”.

Mirëpo Kearns tregoi dallime mes qëndrimeve të SHBA-së dhe asaj zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, duke shkruar se “Qëndrimi që po merret ndaj Kosovës është joproporcional. Mungesa e parandalimit ndaj Beogradit tregon mungesë ekuilibri dhe moskoherencë strategjike. Dështimi për ta penguar milicinë e armatosur dhe financuesit dhe blinduesit e tyre rrezikon ta inkurajojë përshkallëzimin e mëtejshëm”. Tutje Kearns ka thënë se Kosova duhet të lejohet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Mark Dickinson, ish i dërguar britanik në Ballkanin Perëndimor, citohet të ketë thënë: “Cila është koha më e shkurtër për ta shpëtuar fytyrën përpara se [i dërguari i BE-së Miroslav] Lajčák të ketë një nxitje të madhe për të ‘kaluar më shumë kohë me familjen e tij’? Nuk e kam problem që Kurti (dhe fatkeqësisht Kosova) të fajësohet dhe të ndëshkohet. Mund ta duroj edhe që Vuçiq t’i shpëtojë. Por nëse BE-ja dështon të pranojë se ajo gjithashtu ka kontribuar shumë në këtë fatkeqësi, mund të presim vetëm përsëritje”.

Në raundin më të fundit të bisedimeve, Vuçiq, presidenti serb, refuzoi ta nënshkruajë një marrëveshje që ofronte njohje reciproke të Serbisë dhe Kosovës, si dhe një shkallë autonomie për serbët në veri të Kosovës që nuk e kanë pranuar asnjëherë qeverisjen nga autoritet e Prishtinës zyrtare.

Bojkoti serb i zgjedhjeve lokale në veri u dha mundësinë qytetarëve me etni shqiptare në atë rajon të merrnin kontrollin e qeverisjes komunale me një pjesëmarrje prej më pak se 3.5%.

Propozimi i Kurtit është që nëse dhuna përfundon, zgjedhjet e reja mund të mbahen shumë përpara përfundimit të mandatit të mbetur dyvjeçar të kryetarëve.

Diplomatët britanikë kanë frikë se përpjekjet e SHBA-së për të fajësuar Kurtin nuk e shqyrtojnë shkakun rrënjësor të ngërçit, duke përfshirë një kërkesë të BE-së që Kurti ta pranojë një marrëveshje të arritur në vitin 2013 duke i dhënë autonomi gjithëpërfshirëse një asociacioni të komunave serbe. BE-ja u përpoq ta impononte këtë si pjesë e një marrëveshjeje prej 11 pikash në bisedimet në Ohër në Maqedoninë e Veriut në mars, megjithatë asnjëra palë nuk e nënshkroi marrëveshjen. BE-ja argumentoi se marrëveshja, duke përfshirë klauzolat e vitit 2013 që siguronin njohjen e nënkuptuar de fakto të Kosovës nga Serbia, përmbushte kërkesën kryesore të Kosovës.

Kurti thotë se pakicat në Kosovë tashmë gëzojnë pavarësinë sipas kushtetutës, duke përfshirë serbishten si gjuhë zyrtare, ulëse të garantuara në parlament pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, përfaqësim në nivel komunal, të drejtën për të emëruar zyrtarë kryesorë të policisë në zonat me shumicë serbe, dhe të paktën një ministër nga pakica serbe në qeveri./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala