Kryetarja e AGK-së jep detaje për vjedhjen

Mëngjesin e sotëm policia është njoftuar se një vjedhje ka ndodhur gjatë natës brenda zyrave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetaren e AGK-së, Gentiana Begolli, e cila ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Ajo ka treguar se në mëngjes dera e zyres  ka qenë e hapur.

“Në mëngjes zyra ka qenë e hapur. Në vendin e ngjarjes kanë dal forenzika dhe kanë konstatuar se është vjedhur një llap top, një televizor, një fotoaparat dhe disa mbushje të telefonit”, ka thënë Begolli.

Ajo ka bërë thirrje që Policia e Kosovës  të angazhohet në maksimum për zgjidhjen e këtij rasti, pasi që në afërsi të zyrave ka edhe kamera të sigurisë.

“Ju bëjë thirrje që Policia e Kosovës të angazhohet në maksimum për zgjidhjen e këtij rasti, pasi që të njëjtit kanë thënë se të dyshuarit ende të paidentifikuar kanë kryer vjedhje duke përdorur doreza dhe pa lënë shenja, por ekzistojnë kamerat e sigurisë përreth zyrave të AGK ku lehtë mund të identifikohen personat e dyshuar”, ka thënë Begolli.

KALLXO.com para pak minutave raportoi për vjedhjen brenda zyrave të AGK-së.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se policia është njoftuar sot rreth orës 09:00.

“Rreth orës 09:00,kemi pranuar informatën për një rast vjedhje, në rrugën “Perandori Justinian”, në Prishtinë, saktësisht në zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e nevojshme policore të cilat po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se në të dhënat fillestare dyshohet se personat e dyshuar gjatë natës kanë hyrë me forcë brenda zyrës së AGK-së  dhe kanë vjedhur një foto aparat, një llap top,  dhe një televizor.

“Aktualisht njësitet policore janë duke kryer  ekzaminimet në  vendin e ngjarjes. Për çdo të dhënë për rastin do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Ahmeti.