Kryetari Ilir Peci planifikon të vazhdojë punën nesër nga objekti i Komunës në Zveçan

“Po patjetër” – ka qenë përgjigjja e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i pyetur nëse nesër do të vazhdojë punën në objektin e Komunës.

Sikur Peci ka paralajmëruar se do të veprojë edhe kryetari i  Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili po ashtu e konfirmoi për KALLXO.com se nesër, e hënë, planet e tija janë që ta vazhdojë punën në objektin e Komunës.

Të enjten e kësaj jave, kryetari Peci u betua dhe mori mandatin e të parit të kësaj komune. Betimin e dha në shkollën “Isa Boletini” nën masa të shtuara të sigurisë.

Një ditë më vonë, të premten, Ilir Peci, njëjtë si kolegët e tij në Leposaviq e Zubin Potok, u fut edhe në objektin e Komunës së Zveçanit, ndonëse ky veprim u kundërshtua nga qytetarët serbë dhe solli tensione në veri të Kosovës.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para komunave, e për të shpërndarë turmën, zyrtarët policorë u detyruan të përdorin edhe gaz lotsjellës.

Përpos kësaj, në mesin e qytetarëve të mbledhur u panë edhe persona të maskuar, e madje edhe u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

Pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore, e disa vetura të Policisë u demoluan.

Ndërsa, dje dhe sot, situata duket e qetë në tri komunat.

Ekipi i KALLXO.com gjatë këtij vikendi ka qëndruar në veriun e Kosovës.

Edhe Policia e Kosovës ka vlerësuar që në veri të vendit po mbizotëron situatë e qetë.

Në një përgjigje për KALLXO.com mëngjesin e sotëm, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se situata e sigurisë së përgjithshme në vend është e qetë.

“Një situatë e tillë edhe përkundër zhvillimeve të fundit, sot vazhdon të jetë qetë edhe në veri të vendit, ku Policia e Kosovës po kryen detyrat dhe angazhimet e saja me njësitet relevante policore” – u shpreh Kelani.

Përderisa situata në veri po monitorohet edhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, pranë tri objekteve komunale në tri komunat në veri po qëndrojnë forcat policore.

Kryetari i Leposaviqit thotë se të hënën do e vazhdojë punën në objektin e komunës