Vetura e dejgur në Zveçan më 26.07.2024. Foto: Adelinë Ahmeti/KALLXO.com
Kryetari i Zveçanit: Zjarri ndaj veturave formë presioni për qytetarët serbë
Tre deri në katër persona të maskuar dyshohet se kanë marrë pjesë në vënien e zjarrit ndaj dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit.
Kështu tha kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, në një deklarim para medieve pas djegies së dy veturave në orën 01:39 pas mesnatës në Zveçan.
Peci tha se në Komunën e Zveçanit ditëve të fundit kanë nisur edhe takimet dhe dëgjimet publike, ndërsa kjo vjen si formë për të tentuar që t’i frikësojnë qytetarët për të mos marrë pjesë në këto takime.
Peci tha se ende nuk e di nëse ka persona të identifikuar, pasi që të dyshuarit kanë qenë të maskuar.
“3-4 persona kanë qenë, policia më ka njoftuar shkurt por jo në detaje për rastin. Janë dy vetura të përfshira”- thotë kryetari Peci.
Tutje ai shtoi se ka kërkuar nga policia që të kete shtim të numrit të patrullave policore për të siguruar punëtorët e komunës.
“Punëtorët e komunës nuk vijnë me vetura tyre zyrtare për shkak të frikës” – tha Peci.
Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Zveçan raporton se njëra nga veturat është bartur me mjet transportues të organizuar dhe nën përcjelljen e policisë për ekzaminim.
Njëra veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa tjetra veturë vazhdon të mbetet në pjesën e cila është e përcaktuar si parking për vetura zyrtare.
Sipas Policisë të Kosovës, rasti është nën hetime.
Raste të djegieve të veturave në veri të vendit janë regjistruar edhe më herët në veri.
Në qershor të këtij viti janë djegur dy vetura me targa serbe në Mitrovicë të Veriut, ndërsa në muajin prill, edhe një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës iu dogj vetura në këtë qytet.