Kryetari i Zveçanit: Xhelal Sveçla nuk ma dha mbrojtjen e afërt - VIDEO
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci e sheh të nevojshme mbrojtjen e afërt.
Në debatin “Jeta në Komunë” ai thotë se këtë e ka kërkuar mirëpo është refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Ai e sheh të padrejtë këtë veprim të qeverisë për faktin se Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e ai i Leposaviqit Lulzim Hetemi kanë mbrojtje të afërt.
“Shumë herë (e kam diskutuar me ministrin Sveçla), sy më sy e në katër sy. Të parën kërkesë kur e kam bërë përmes e-mailit zyrtar sipas tij më është kthyer negative sepse nuk po e shohim se jeni në gjendje. Unë ja kom kthy përgjigjen, pse atëherë Erden Atiqi, kryetari i tyre është afër Urës së Ibrit edhe një gjendje e cila dihet në Komunën e Zveçanit nuk pasna të drejtë. Mbrojten e afërt e kanë të dy kryetarët e Vetëvendosjes. Ne po e shohim se nuk je në rrezik edhe me këtë u arsyetu”- u shpreh kryetari.
Ndonëse sipas tij ministrin e bujqësisë, Faton Pecin e ka kushëri të afërt, sipas kryetarit ai asnjëherë nuk i është vënë në ndihmë qytetarëve të Zveçanit në fushën e bujqësisë.
“Ne kemi pasë një takim para një muaji edhe me kryeministrin aty kanë qenë edhe ministrat edhe i kemi kërku për shumë sfida edhe buxhetore. Kryeministri na ka dhënë premtime që brenda dy tre ditësh ka thënë së kanë me përfundu, asnjë s’kanë përfundu. Kemi kërku nga ministri i Bujqësisë Faton Peci edhe është kusheri i jemi, kemi kërku të kemi një bashkëpunim të mirë me të për qytetarët shqiptarë, në bletë, në serra, e në pula. Ai është i fshatit Zhazhë, unë i fshatit Boletin mirëpo kusheri, jemi të gjakut jemi”- përfundoi Ilir Peci.
Kurse Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë Isuf Kelmendi, thotë se fermerët e Zveçanit kanë fituar vetëm subvencione nga Ministria e Bujqësisë ndërsa grante jo.
“Kanë apliku për grante të ndryshme, nuk kanë përfitu kërkush. Arsyetimet që u janë dhënë atyre infermierëve janë, (unë jam befasu me ta) se je fermer i ri. Unë nuk e di çfarë arsyetimi është je fermer i ri. Të gjitha kriteret i ka plotësu fermeri që ka apliku për shtallë dhe disa që kanë apliku për ferma të pulave. Fermer i ri nënkupton kishe i papërvojë a mosha e tij është diku 45 vjeçar. Komuna prej ministrisë grante nuk ka marr, subvencione po. Ato para i merr drejtpërdrejtë fermeri”- tha Kelmendi.