Foto: Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci në Facebok.
Kryetari i Zveçanit publikon pamje nga sulmi me granatë dore në objektin e Komunës
Kryetari i Komunës të Zveçanit, Ilir Peci e ka quajtur akt të dhunshëm që ka shkaktuar dëme materiale, “por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar”, sulmin që ka ndodhur natën me granatë dore ndaj objektit të kësaj komune.
“Si Kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”- ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari ka publikuar fotografi nga dëmet materiale të shkaktuara nga shpërthimi.
Një granatë dore dyshohet se ka shpërthyer në Zveçan, e si pasojë janë dëmtuar disa pjesë të objektit të komunës si dhe xhamat e disa veturave që kanë qenë të parkuara në afërsi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e shpërthimit që ndodhi në orën 23:39 më 28.11.2024 nuk janë raportuar të lënduar.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka thënë për KALLOX.com që granata dyshohet se ka qenë e llojit M-75 dhe është hedhur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit.
“Mbrëmë para mesnatës ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit e poashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”- tha Elshani.
Rasti është cilësuar në vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti është nën hetime.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët se persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e Stacionit Policor në Zveçan, më 26.11.2024, rreth orës 23:55.