Izmir Zeqiri - Foto: KALLXO.com
Kryetari i Zubin Potokut pretendon se u kërcënua, publikon mesazhet
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri po pretendon se është kërcënuar nga një person dje më 02.09.2024.
Përmes një postimi në Facebook ai pretendon se është duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil, që sipas tij, paraqitet të jetë një oficer i MUP-it të Serbisë i angazhuar në Republikën e Kosovës.
“Do të marrësh një plumb kush të ka thirrë në festën e diplomimit o bande terroriste okupatore, mirë ta kam mbajt mend fytyrën”- thuhet në kërcënimin që pretendoi se iu bë Zeqiri.
Zeqiri ka shkruar në Facebook e tij se ka një përgjigje për kërcënuesin.
“Përgjigjja e ime është: Këtu jam dhe Këtu do të jem, Dem Baba Dem” – ka shkruar ai..
Në një përgjigje për KALLXO.com kryetari tha se e ka denoncuar rastin në polici.
“Rastin në polici herën e parë edhe tash e kam lajmëru. Me thirrjet e mia në maj, i njëjti ma ka çu një kërcënim me qato fotografi edhe qashtu ka qenë një kërcënim me shkrim dhe është i lajmërum. Mirëpo informacionet që i kemi marrë prej organeve të policisë, ky diku prej së jashti e ka shkru këtë kërcënim prej jashtë, nuk ka qenë brenda Kosovës. Natyrisht e pashë të arsyeshme se herën e parë nuk e kam publiku për shkak të hetimeve, por tash masi po vazhdon, e pashë të arsyeshme me e ba publike. 31 maj ka qenë hëra e parë që ka kërcënu, hera e dytë është qekjo d.m.th me të dytin, mbramë para orës 12 të natës diku”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com
KALLXO.com kontaktoi dhe Policinë e Kosovës për ta marr një prononcim për këto pretendime mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.