Kryetari i Zubin Potokut pretendon se u hodh granatë në oborrin e shtëpisë së asistentit të tij
Granata e dorës e cila është hedhur në një oborr shtëpie të Zubin Potok sot më 04.09.2024, kryetari i kësaj komune pretendon se i është hedhur në shtëpinë e asistentit të tij.
“Është bashkëpunëtor i imi nga shumica serbe, është asistent në kabinetin tim, bashkëpunëtor i ngushtë i imi” – tha Zeqiri për KALLXO.com.
Pyetur nga KALLXO.com se a mendon se ky shpërthim lidhet me kërcënimet që pretendon se i janë bërë më 02.09.2024, i njëjti thotë se edhe mund të jetë.
“Nuk e di ndoshta edhe mund të lidhet. Meqenëse organet e sigurisë janë duke punu intenzivisht dhe me siguri ato e thonë fjalën e fundit. Parmbrëmë unë e kam pasë një kërcënim në rrjete sociale, mbrëmë ndodhi që ai e ka pasë një shpërthim mas mesnate”- tha tutje Zeqiri.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka pretenduar se është kërcënuar nga një person më 02.09.2024.
Përmes një postimi në Facebook ai pretendon se është duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil, që sipas tij, paraqitet të jetë një oficer i MUP-it të Serbisë i angazhuar në Republikën e Kosovës.
“Do të marrësh një plumb kush të ka thirrë në festën e diplomimit o bande terroriste okupatore, mirë ta kam mbajt mend fytyrën”- thuhet në kërcënimin që pretendoi se iu bë Zeqiri.
Zeqiri ka shkruar në Facebook e tij se ka një përgjigje për kërcënuesin.
“Përgjigjja e ime është: Këtu jam dhe Këtu do të jem, Dem Baba Dem” – ka shkruar ai
Në një përgjigje për KALLXO.com kryetari tha se e ka denoncuar rastin në polici.
“Rastin në polici herën e parë edhe tash e kam lajmëru. Me thirrjet e mia në maj, i njëjti ma ka çu një kërcënim me qato fotografi edhe qashtu ka qenë një kërcënim me shkrim dhe është i lajmërum. Mirëpo informacionet që i kemi marrë prej organeve të policisë, ky diku prej së jashti e ka shkru këtë kërcënim prej jashtë, nuk ka qenë brenda Kosovës. Natyrisht e pashë të arsyeshme se herën e parë nuk e kam publiku për shkak të hetimeve, por tash masi po vazhdon, e pashë të arsyeshme me e ba publike. 31 maj ka qenë hëra e parë që ka kërcënu, hera e dytë është qekjo d.m.th me të dytin, mbramë para orës 12 të natës diku”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet në lidhje me kërcënimet ndaj kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Kryetari i Zubin Potokut pretendon se u kërcënua, publikon mesazhet