Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, Foto: KALLXO.com

Kryetari i Zubin Potokut përdor veturën zyrtare për të blerë harxh, arsyetohet se veturën personale e kishte me defekt (VIDEO)

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e PDK-së, është parë të shtunën, më 22.02.2025, duke blerë harxh në një market derisa ishte duke përdorur veturën zyrtare.

Në incizimin që e ka siguruar KALLXO.com, Zeqiri shihet duke i vendosur qeset me gjëra ushqimore në veturën zyrtare, e cila është e ndalur në një parking.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin Izmir Zeqiri në lidhje me përdorimin e veturës gjatë fundjavës për shërbime personale. Përdorimin e veturës zyrtare e arsyetoi duke thënë se veturën e tij personale e ka me defekt.

“Po, ka qenë se m’u dasht me dalë me ble pak harxh. E di që në fundjavë, po kesh qashtu se po më nxinet koha ma tepër. Shkurt e kam pasë, 20 minuta. Se veturën private, e kisha në defekt, e kam hala. E shfrytëzova se m’u krijuan kushtet asisoji”- tha Zeqiri më 22.02.2025.

Izmir Zeqiri erdhi në krye të Zubin Potokut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23.04.2023, bashkë me kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zveçanit, pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të këtyre komunave.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre.

Betimi i kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri u prit me protesta të dhunshme, në të cilat gazetarë, zyrtarë policorë, protestues dhe më shumë se 90 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Rreth një vit më vonë, më 21.04.2024, në katër komunat e veriut u mbajt votimi për apo kundër largimit të kryetarëve shqiptarë të komunave. Ky votim u bojkotua nga qytetarët e kësaj zone, përderisa në secilën prej komunave numri i votuesve nuk arriti as deri në 1 për qind.

Komisioni Qendror Zgjedhor kishte vënë në pah që në komunën e Leposaviqit kishin votuar vetëm 124 qytetarë nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18, nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209; dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796.

Një Udhëzim Administrativ u nxorr në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe. Ky UA,  përcaktonte që kryetari i komunës, konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij. Nëse shpallej një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë do ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në pjesën e fundit të vitit 2025.