Izmir Zeqiri

Kryetari i Zubin Potokut: Në momentin kur shtrihet ligji dhe drejtësia, unë do të ndihem më i sigurt

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri për situatën e sotme në veri, ka thënë se ka qenë një ditë e pa pritur.

Zeqiri tha se ka qenë i interesuar që gjithçka të shkojë mirë.

“Ka qenë një ditë e papritur, situata ka rrjedhur papritur meqenëse ishte një ditë pak më e veçantë të themi, megjithatë ne ishim të interesuar që të shkojë si më së miri dhe shkuarja jonë në objektin e komunës, në zyrën e kryetarit të komunës” – ka deklaruar ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

“Për mua është me rëndësi që nuk ka pasë viktima, ka pasë revolta me siguri është një pjesë e atyre punëtorëve që gjithmonë kanë punuar në sistem paralel të Serbisë. Edhe një pjesë e qytetarëve të ndikuar nga ta, nga bandat kriminale e kanë shpreh një revoltë mirëpo ne nuk do të ndalemi dhe do shkojmë dhe të punojmë ashtu saç na thërret republika dhe ligjet e Kosovës. Të gjithë mund të ndihemi krenar brenda kësaj kornize ligjore që na ofron Kosova”- u shpreh Zeqiri.

Kryetari i Zubin Potokut tha se në momentin kur shtrihet ligji dhe drejtësia sipas Republikës së Kosovës, ai dhe qytetarët do të ndihen më të sigurtë.

“Në atë moment që të shtrihet ligji dhe drejtësia sipas Republikës së Kosovës, unë ndihem më i sigurtë dhe qytetarët ndihen më të sigurtë. Unë do të ndihem i rrezikuar për aq kohë sa kanë hapësirë këto të na vërdallen rreth e qark edhe shtëpive edhe vendbanimeve tona” – tha Zeqiri.

“Nuk shoh rrezik se shteti do të insistojë për të ofruar shërbimet për të gjithë qytetarët, rrezikun e shoh tek lejimi i hapësirës së madhe të bandave që vijnë nga Serbia e Rusia dhe krijojnë rreziqe këtu”- shtoi ai.

Më tej, Zeqiri tha se punës në objektin e komunës do t’i kthehet ditën e hënë.

“Besoj që do të shkojë sipas ditëve të punës, do të shkoj të hënën. Do të jem i fokusuar që punën time dhe të kabinetit ta zhvillojë prej vendit ku duhet të zhvillohet”- theksoi Zeqiri.

“Me dëshirën time do të kishte shku gjithçka në rregull dhe ndonjë pranim-dorëzim i detyrave siç duhet, mirëpo duke e ditur se edhe gjatë udhëheqjes së kaluar këto zyre janë të uzurpuara nga sistemi paralel i Serbisë dhe me lutje nuk do largoheshin kështu që nuk do ishte forma që do ta kisha preferuar”- tha mes tjerash i pari i Zubin Potokut.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri