Glauk Konjufca, Foto: Facebook

Kryetari i zënë i Kuvendit - mungesën në gjykimin ndaj tij po e arsyeton me angazhimet në punë

Angazhimet në Kuvendin e Kosovës, po dalin të jenë arsyet se pse 3 nga seancat gjyqësorë ku akuzohet Glauk Konjufca për hedhje të gazit lotsjellës, po shtyhen.

Arsyetimi që Konjufca në tri raste ia ka dhënë Gjykatës për mospjesëmarrje në Gjykatë lidhen me angazhimet e tij në detyrën e kryeparlametnarit.

Hera e fundit, kur Konjufca do duhej të paraqitej para Gjykatës ka qenë të premten, më 19 maj, por kjo seancë është shtyrë për një herë tjetër.

Mbrojtja e kryeparlamentarit ka kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër, me arsyen se Konjufca gjendet jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.

Gjyqtarja e rastit Edita Çanta për KALLXO.com konfirmoi se seanca e planifikuar për sot në ora 10:00 është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Por, KALLXO.com ka kuptuar se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk ndodhet jashtë shtetit.

Nga kabineti i Konjufcës kanë konfirmuar se udhëtimi zyrtar i tij është anuluar gjatë kësaj jave.

Menaxherja e Zyrës së Kryetarit, Labërie Nishori, ka thënë për KALLXO.com se udhëtimi për në Mal të Zi, i cili ishte planifikuar të bëhej sot, është anuluar për arsye personale të kryetarit të Kuvendit.

Sipas Nishorit, Konjufca kishte planifikuar të udhëtonte për në Budva, ku po mbahet Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Ajo ka thënë se për shtyrje të seancës gjyqësore janë njoftuar më datë 10 maj nga avokatja e Konjufcës, ndërsa udhëtimi jashtë vendit është anuluar gjatë kësaj javë.

“Me datë 10 maj e kemi marrë konfirmimin prej avokates, pas konsultimit të saj me Gjykatën, ndërsa udhëtimi është anulu këtë javë, nuk e di datën kur. Seanca e radhës gjyqësore është konfirmuar që ka me u mbajt në korrik dhe për datën mbetet me na njoftu Gjykata. Udhëtimi është anulu për shkak të arsyeve personale të kryetarit, pasi është marrë njoftimi që seanca e radhës do të mbahet në korrik” – është përgjigjur ajo për KALLXO.com.

Sipas Nishorit, gjykatësja e rastit është e njoftuar për aktivitetin ku ishte e planifikuar të merrte pjesë kryetari.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri se kur ka dërguar kërkesën për shtyrje të seancës dhe kur ka marrë përgjigje nga gjykata, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, as Gjykata Themelore e Prishtinës ende nuk ka kthyer përgjigje se në çfarë date është kërkuar shtyrja e seancës dhe kur është dhënë konfirmim për shtyrje.

Sipas arsyetimeve të prezantuara para Gjykatës, pozita që bartë në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufcës edhe dy herë të tjera ia ka pamundësuar pjesëmarrjen në seancë gjyqësore në rastin e gazit lotsjellës, për të cilin aktakuza ishte ngritur në vitin 2017.

Për t`u përballur me akuzat që prokuroria i vë në barrë, Konjufca nuk është paraqitur në Gjykatë as më 13 prill 2023. I njëjti ka kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se ka angazhime në funksionin që e ushtron.

Sipas kalendarit të ngjarjeve të Kuvendit të Kosovës, Konjufca më 13 prill, në agjendë ka pasur një takim me ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard dhe Komisionin për Legjislacion të Parlamentit të Danimarkës.

Ndërsa, po atë ditë, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar punimet e një seance plenare e cila është drejtuar nga ai.

Me arsyetimin se ka angazhime në punë, Glauk Konjufca nuk është paraqitur as në seancën gjyqësore të datës 7 prill të vitit të kaluar.

Kryetari i zënë i Kuvendit | Grafika: Diar Vuçetaj

Sipas të dhënave të Kuvendit të Kosovës, më 7 prill 2022, Kuvendi ka mbajtur seancë plenare, punimet e të cilës i ka udhëhequr Glauk Konjufca.

Përveç rasteve kur i pandehuri ka munguar, në këtë rast Glauk Konjufca, seancat në gjykimin ndaj tij, kanë dështuar të mbahen edhe për arsye tjera.

Për t`u përballur me akuzat se ka hedhur gaz lotsjellës e ka penguar punën e deputetëve në Kuvendin që sot e udhëheq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është ulur në bankën e të akuzuarve më datë 13 mars 2023.

Por, kjo seancë kishte dështuar për arsye të mungesës së dëshmitarëve të këtij rasti. Si dëshmitarë të ftuar për atë ditë ishin Adem Grabovci, Ismet Beqiri dhe Sllobodan Petroviq.

Ndërsa, seanca e planifikuar për 20 shkurt 2023 ka dështuar të mbahet pasi Konjufca nuk kishte avokat.

Një seancë tjetër kishte dështuar të mbahej edhe më 30 nëntor të vitit 2022. Kjo për shkak se në atë kohë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po respektohej vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që puna e gjykatës të bëhet vetëm me shërbime esenciale.

Kjo kishte të bënte me vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 19 prill të vitit të kaluar ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet për veprën “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, meqë siç përshkruhet në aktakuzë, deputetët e tjerë janë detyruar të ndërprisnin seancën dhe të largoheshin nga salla plenare e Kuvendit.