Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Vushtrrisë publikon dhe krahason shpenzimet me ish-qeverisjen

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka publikuar disa shpenzime të kabinetit të tij për periudhën janar-maj ndërsa ka krahasuar ato edhe me shpenzimet e qeverisjes së kaluar, me në krye Xhafer Tahirin.

Ndonëse për këtë periudhë Idrizi me kabinet ka shpenzuar mbi 8 mijë euro në dreka dhe darka zyrtare ai thotë se ish-kryetari Tahiri në periudhën e njëjtë të vitit 2021 kishte shpenzuar rreth 12 mijë euro.

Idrizi ka publikuar edhe shpenzimet e karburanteve të të dy qeverisjeve, në pjesën e parë të vitit 2022 janë deklaruar 6 mijë e 63 kilometra të kaluara ndërsa në periudhën e njëjtë në vitin 2021 qeverisja e Tahirit thuhet se kanë kaluar mbi 10 mijë kilometra.

Kryetari i Vushtrrisë ka premtuar se çdo shpenzim publik në çdo fundvit do ta bëjë publik.

“Para jush jam zotuar se do të jem transparent në çdo shpenzim publik që do ta bëjmë unë dhe kabineti im. Për këta pak muaj që kam ardhur në qeverisje kam ulur shumë shpenzimet gjithanshëm, dhe e njëjta do të vazhdoj për gjatë tërë mandatit. Në çdo fundvit para jush do të pasqyroj shpenzimet e mia dhe të kabinetit tim, si dhe do t’i krahasoj me shpenzimet e qeverisjes së kaluar. Llogari ligjit dhe qytetarëve”, tha ai.