Foto: Ferit Idrizi/Facebook

Kryetari i Vushtrrisë kërkon trajtim me prioritet të objektit të ish-Gjykatës pas shembjes së disa pjesëve

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përmes një shkrese ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të trajtojë me prioritet çështjen e ish-objektit të Gjykatës, kjo pasi e njëjta po rrezikon qytetarët për shkak të shembjes në disa pjesë.

Idrizi ka shkruar se ky objekt me rrezikshmëri të lartë është bërë shqetësues për vushtrriasit.

“Përmes kësaj shkrese kam kërkuar që çështja e këtij objekti të trajtohet me prioritet, dhe në përputhje me rrethanat e krijuara të merren vendime të duhura dhe të shpejta, pasi që MKRS ka marrë vendim që objektin në fjalë ta përfshijë në listën e objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme.Kjo çështje për qytetin dhe qytetarët e Vushtrrisë është bërë shqetësuese, pasi që objekti ka filluar të dëmtohet në masë të madhe, madje ka filluar edhe të shembet në disa pjesë, gjë që paraqet rrezik për qytetarët”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë para një viti kishte votuar që ta rrëzojë objektin e Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.

Kjo kishte ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte refuzuar vendimin e Komunës së Vushtrrisë për rrëzimin e ish-objektit të Gjykatës në këtë qytet.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, MAPL kërkonte nga Komuna e Vushtrrisë rishqyrtimin e një vendimi të tillë.

Pavarësisht vendimit, Komuna e Vushtrrisë që në atë kohë udhëhiqej nga Xhafer Tahiri kishte nënshkruar kontratë për rrënimin e ish-objektit të Gjykatës dhe kishte filluar rrënimin.

Ndaj kësaj kishte reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila kishte thënë se nuk duhet të ndërmerren hapa drejt shfrytëzimit apo rrënimit të kësaj ndërtese dhe se do të reagonte përmes Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

Komuna e Vushtrrisë: MKRS bëri ndërhyrje politike