Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Vushtrrisë flet për rastin e arrestimit të vëllait të tij

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, sonte i ftuar në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka folur rreth arrestimit të vëllait të tij para rreth një viti.

Vëllai i Tahirit ishte arrestuar pas një videoje të publikuar ku shihej duke kërkuar ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore të cilat i lëshon Komuna.

I pari i  Vushtrrisë ka thënë se asnjëherë nga prokuroria nuk është marrë në pyetje për këtë çështje dhe se beson që ajo video është e montuar.

“E kam sqaruar që në ditën e parë që përgjegjësia është individuale dhe nuk jam marrë kurrë në pyetje që një vit nga prokuroria. Ajo video është e dekoruar e montuar nga disa anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka qenë e programuar prodhimi i asaj video. Koha do të tregoj për këtë çështje. Në gjashtë muajt e parë vëllai im ka qenë edhe shofer por në kohën kur është bërë video zyrtarisht nuk ka qenë vozitësi im”, ka thënë ai.

Tahiri tutje ka vazhduar se arsyeja se pse e ka punësuar vëllanë e tij si vozitës personal është për shkak të kërcënimeve që ai i ka pasur gjatë dhe para zgjedhjeve që ai ka marrë.