Sokol Haliti

Kryetari i Vitisë: Do t`i mbajmë qytetarët të informuar mbi të drejtat e tyre të qarkullimit pas masave të reja

 

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë, ka mbajtur sot takim mobilizues lidhur me vendimet e reja për qarkullim që kanë hyrë në fuqi sot.

Gjatë këtij takimi është biseduar për qarkullimin e qytetarëve por edhe të bizneseve dhe fermerëve në kushtet e parapara nga niveli qendror. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve lidhur me këto masa që janë marrë nga niveli qendror me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit.

“Komuna përmes Zyrës për Informim do të mbaj qytetarët të informuar lidhur me të drejtat e tyre për qarkullim”, citohet të ketë thënë kryetari Haliti, njofton Komuna e Vitisë.

Përndryshe Ministria e Shëndetësisë ajo e Bujqësisë  por edhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë publikuar njoftimet për të drejtat dhe mënyrat e qarkullimit dhe dokumentet me të cilën duhet të pajisën ata.

Gjatë këtij takimi është folur edhe për vazhdimin e sigurimit dhe shpërndarjes së pakove higjienike dhe ushqimore për qytetarët me gjendje të renduar financiare.

Kujtojmë se  deri me tani në komunën e Vitisë 20 qytetarë janë infektuar me virusin COVID-19 ndërkaq 3 prej tyre janë shëruar.