Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Suharekës rrogën e jep për Fondin e Sigurisë së Kosovës të themeluar nga Qeveria

Qeveria e Kosovës sot gjatë ditës ka themeluar Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri është shprehur se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Lidhur më këtë, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vendosur që rrogën e muajit shkurt ta dhurojë për Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Muharremaj.

“Rroga ime e muajit shkurt do të kaloj në Fondin për Siguri. Si ushtarak me profesion, por edhe si ish pjesëtar i UÇK-së, e konsideroj se është momenti i duhur ta ndihmojmë avancimin e ushtrisë sonë, pra Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

Ai ka ftuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, ministrat dhe udhëheqësit e dikastereve të bëjnë të njëjtin veprim.

“I ftoj deputetët, ministrat dhe udhëheqësit e dikastereve të tjera të ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit tone”, është shprehur Muharremaj.