Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Suharekës reagon pas njoftimit se një mësimdhënëseje iu ndalua ushtrimi i profesionit për shkak të shamisë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar rreth njoftimit se në shkollën e Reshtanit një mësimdhënëseje i është ndaluar ta kryejë punën e saj për shkak të shamisë.

Në një vendim, i cili është publikuar në rrjetet sociale, thuhet se mësimdhënëses nuk i lejohet të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollë me uniformë fetare.

Lidhur me këtë, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se bordi i prindërve nuk është institucion i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.

“Kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mirë” – ka shtuar kryetari i Suharekës.

Muharremaj ka theksuar se në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht atij si kryetar për veprimet institucionale.

“Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur” – ka theksuar kryetari i Suharekës, i cili ka treguar se gjendet jashtë vendit dhe porsa të kthehet do ta trajtojë me prioritet këtë rast.