Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Suharekës paralajmëron protesta dhe padi pas vendimit të Qeverisë për pronat komunale

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka paralajmëruar protestë pas vendimit të Qeverisë për heqjen nga procesi i privatizimit të disa pronave komunale dhe kthimit të tyre nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, vendim ky që prek edhe qytetin që drejton ai.

Muharremaj i ftuar në ‘Kallxo Përnime’ përveç protestave tha se është duke shqyrtuar mundësinë që edhe ta padisë Qeverinë për këtë vendim.

“Në qoftë se nuk kthehen pronat në shërbim të qytetarëve, ka mundësi që të nisin protestat e para në Suharekë, nëse më dëgjojnë qytetarët, këtë i pari do ta bëj. Nuk kemi pasur asnjëherë konsultime për këtë çështje. Unë jam duke u këshilluar edhe me avokatin e Komunës, ka mundësi që edhe ta padis Qeverinë në emër të qytetarëve”, tha Muharremaj.

Ai theksoi se për shkak të këtij vendimi nuk kanë ku të ndërtojnë objektin e kompanive publike si “Eco-Higjiena”, zjarrfikësve, emergjencën si dhe stadiumin.

“Ju e dini që Suhareka çdo vit përballet me zjarre dhe ne kemi planifiku pesë hektarë për ta, po e përsëris pesë, tash ata duhet të qëndrojnë aty ku janë. Gjithashtu kemi planfiku këto prona për kompani shtetërorë dhe jo për biznese po ashtu edhe për ndërtimin e emergjencës që të largohet nga QKMF. Nesër, ekipi ynë, ‘Ballkani’ bëhet kampion i super ligës dhe shkon të luaj në Evropë, ku me ia ndërtu ne stadiumin. Beso, nuk kemi prona komunale, nuk kemi ku me i ndërtu”, tha ai.

Në arsyetim të vendimit të Qeverisë për heqjen nga procesi i privatizimit të pronave publike u tha se këto vendime “nuk kanë mundur të zbatohen, kështu, pronat kthehen  nën menaxhimin e AKP-së”.

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për qeverisjen e pronave komunale dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për pronat komunale.

Të ftuar në emision janë Besim Myrtezani nga Ministria e Pushtetit Lokal, Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, Bekim Salihu nga Instituti GAP, Bekim Salihu nga Komuna e Gjilanit dhe Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.