Kryetari i Suharekës lëshon parkingun e Komunës falas për mërgimtarët

Komuna e Suharekës ka vendosur që parkingun i cili gjendet në oborrin e Komunës ta lëshojë falas për mërgimtarët.

Kështu ka njoftuar Komuna duke treguar se institucionet komunale do të jenë në shërbim të mërgimtarëve me të gjitha kapacitetet.

“Po shohim se tashmë jeni nisur drejt vendlindjes tuaj, natyrisht për t’i vizituar familjet tuaja dhe festat ti gëzoni në vendin tuaj.  Si kryetar i komunës jam në shërbimin tuaj, duke ju uruar së pari udhëtim të mbarë, dhe ju premtoj se institucionet komunale janë në shërbimin tuaj me të gjitha kapacitetet”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Gjithashtu kryetari Muharremaj ka njoftuar edhe se përveç parkingut falas, në funksion të mërgimtarëve do të jenë edhe e-kiosqet për shërbime online siç janë nxjerrja e dokumenteve për të cilat kanë nevojë ata.

“Jemi munduar ta mbajmë të gjithë hapësirën publike bukur dhe pastër, qyteti është rregulluar për festat e fundvitit, ashtu që ju të krenoheni me vendin tuaj dhe progresin që ka Komuna e Suharekës”, ka njoftuar kryetari.

I njëjti ka kërkuar që mërgimtarët të zbatojnë edhe rregullat e institucioneve shëndetësore për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Meqë jemi në kohë pandemie, ju lus që ti zbatoni rregullat e institucioneve shëndetësore që ta mbroni veten dhe familjet tuaja. Ju i keni dhënë shumë vendit tuaj në të gjitha periudhat, dhe detyrë e jona është t’ju shërbejmë institucionalisht dhe për këtë obligohem të jem në krye të detyrës”, shtoi ai.

Komuna e Suharekës parkingun në oborrin e Komunës e ka lëshuar falas për mërgimtarët edhe viteve të kaluara.