Kryetari i Shtimes: Nuk është vështirë të bëhet lista e uzurpatorëve

Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Shtimes, thotë se Komuna që drejton ai ka regjistruar të gjitha pronat që ka në posedim.

Ismajli në emisionin “Jeta në Komunë” ku u diskutua për pazaret me prona komunale thotë se ka bërë edhe listën e uzurpatorëve të pronës së komunës.

“Komuna e Shtimes ka bërë regjistrin e të gjitha pronave që ka në posedim. Kjo listë freskohet çdo vit. Kemi bërë edhe identifikimin e uzurpatorëve sepse as komuna jonë nuk bënë përjashtim këtu, janë të trashëguara nga para lufta, por jemi munduar që pjesën e pasluftës ta menaxhojmë që të mos ketë uzurpime të reja. Nuk është vështirë të nxirret kjo listë tash në kohë të digjitalizimit”, ka thënë Ismajli.

Tutje kryetari i Shtimes tregoi se si komunat kanë tentuar që të kenë sa më shumë pronësi edhe në pronat që kanë qenë të AKP-së gjatë procesit të privatizimit.

 

“Komunat kanë tentuar që të kenë sa më shumë prona në pronësi të tyre, përfshirë këtu edhe ato që kanë qenë pronë e AKP-së gjatë procesit të privatizimit, sidomos në pjesët urbane me qëllim që t’i shfrytëzojnë për objektet publike, dhe kjo pjesë ka bërë që shumë komuna të vonohen në procesin e inventarizimit, duke menduar që të kthejnë diçka. Kur e marrin një format se si është menaxhaur me pronat para luftës dhe ato që kanë qenë të ndërmarrjeve të ndryshme publike, komunat në njëfarë forme kanë pasur një lidhmëri të tyre, tentativat kanë qenë se mos do përfitojnë nga to në proces të privatizimit,” ka shtuar i pari i Shtimes.