Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: 10 herë kam kërkuar takim me ministrin Murati, s’kam marrë përgjigje

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka kritikuar Ministrinë e Financave, duke thënë që nuk e kanë pranuar në takim.

Ai tha se i është drejtuar me kërkesë për takim ministrit, Hekuran Murati, dhjetë herë, por ende nuk ka një përgjigje.

“Që dhjetë herë kam tentuar me i kontaktu, përmes e-mailit, ia kam dërgu Hekuran Muratit, i kam kërkuar pesë minuta takim, po nuk më ka caktuar termin. Kam dërguar edhe letër të veçantë për plotësim-ndryshimin e Ligjit, s’kemi marrë përgjigje” – deklaroi ai në emision “Kallxo Përnime”.

Por, një takim mes pensionistëve dhe ministrit Murati ka premtuar se do ta organizojë Berat Zhinipotoku nga Ministria e Financave.

“Te gjithë e keni pasë derën çelë dhe e keni dhe do ta keni. Me shumë kënaqësi ju presim dhe i mirëpresim të gjitha propozimet e juaja, ju garantoj që propozimet e juaja do të shkojnë në Kuvend. Ju presim, sikur prindërit, ju kërkoj falje që deri më tani nuk keni pasë takim” –  tha ai.

“Do të angazhohem personalisht që të ndodhë një takim me ministrin Murati, do të angazhohem maksimalisht” – deklaroi ai.