Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve: Çmimet e derivateve janë në rritje ekstreme

Ngritja e çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, po del të ketë reflektuar edhe në Kosovë.

Berjani në një prononcim për KALLXO.com tha se çmimet në Kosovë janë rritur deri në 1 euro e 32 centë për benzinë ndërsa 1 euro e 25 centë nafta.

“Dihet se në tregjet ndërkombëtare janë duke u rritur dhe do të rriten, 1,25 euro për disel dhe 1, 27 deri në 1,32 euro benzina kanë arritur në Kosovë. Këto çmime i përcakton OPEC. Por gjendja ekonomike në Kosovë është e rëndë ndërsa çmimet janë shumë të shtrenjta por këtë e përcakton berza”, tha ai.

Berjani tha se çmimet po ngriten shumë dhe shpejt.

“Ndoshta kemi fat e nuk vazhdon më tutje çmimet janë në rritje ekstreme. Çmimet ku variojnë 125-135 qytetarët kanë mundësi që të zgjedhin aty se ku është më lirë”, tha ai.

Pompa e derivateve ‘Petrol Company’ në një përgjigje për KALLXO.com tha se aktualisht në këtë pompë çmimet e derivateve variojnë nga 1 euro e 32 centë deri në 1 euro e 35 centë.

Ata thanë se çmimet e derivateve kanë filluar të rriten shpejt në pesëmujorin e fundit.

Sipas tyre pandemia e COVID-19 dhe masat e marra për reduktimin e prodhimit të derivateve janë arsyet kryesore të ngritjes së çmimeve.

“Me rastin e kulminacionit të Covid-19 dhe masat e marra për reduktimin në prodhim dhe qarkullim etj, nga viti 2020, çmimet janë ulë në minimum dhe prodhuesit e naftës filluan të punojnë me humbje, në këtë rast OPEC, ka marrë vendim për zvogëlim të prodhimit, për çdo muaj deri në normalizim. Me këtë rast edhe shumë biznese prodhuese (rafineri) në bote falimentuan, gjë e cila filloi stabilizimin e tregut për të filluar edhe ngritjen. Meqë tani ekonomia në botë ka filluar të normalizohet dhe me këtë rast edhe të rriten shpenzimet/kërkesat siç kanë qenë dhe përderisa OPEC, nuk ka marrë një vendim për rritjen e prodhimit, çmimet kanë filluar të rriten, e sidomos të rriten ekstrem shpejt në 5 mujorin e fundit”, thuhet në përgjigjen e ‘Petrol Company’ për KALLXO.com.