Kryetari i Rinisë së Nismës Socialdemokrate punësohet në Ministrinë e Endrit Shalës

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka vazhduar me ‘rehatimin’ e bashkëpartiakëve të tij në Ministrinë që e udhëheq.

Sot në këtë Ministri është punësuar edhe kryetari i Rinisë së Nismës Socialdemokrate në Skenderaj, Jehon Kadrijaj.

Kadrijaj është punësuar në pozitën ‘Zyrtar për mbrojtjen e konsumatorit’.

Sipas vendimit të bërë publik nga vetë Ministria, Kadriaja ishte poentuar me 71.35 pikë.

 

KALLXO.com gjatë tërë ditës ka provuar që të marrë një prononcim nga Kadrijaj, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Në lidhje me atë se a ka pasur ndikim vet ministri në punësimin e bashkëpartiakut të tij, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe ministrin Shala, mirëpo edhe ky ka qenë i paqasshëm.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për punësimet që Nisma Socialdemokrate është duke i bërë për bashkëpartiakët e saj.

Në tetor të vitit të kaluar Pranvera Dakaj, anëtare e partisë Nisma Socialdemokrate është punësuar si zyrtare e pensioneve në Zyrën e Pensioneve në Komunën e Prizrenit.

Dakaj në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishte kandidate për asambliste në Prizren nga radhët e Nismës, ku kishte fituar vetëm 115 vota, duke mos arritur ta sigurojë ulësen.

Po ashtu në korrik të vitit të kaluar anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate në Lipjan, Pajtim Kleçka kishte gjetur një vend pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që udhëhiqej nga ish-bashkëpartiaku i tij, Shyqiri Bytyqi.

Kleçka ishte emëruar në pozitën zyrtar i lartë për arsim të lartë privat më 1 mars 2019.

Edhe në qershor 2019, nipi i Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi, këshilltar politik i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë është zgjedhur në pozitën zyrtar i lartë për standarde dhe cilësi të turizmit.

Edhe nipi tjetër i Jakup Krasniqit, Taulant Krasniqi, është punësuar si inspektor i naftës në Ministrinë që drejtohet nga partia e themeluar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi.