Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut emëron katër drejtorë

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se sot ka emëruar katër drejtorë në kabinetin e tij.

Atiq e ka emëruar Anesa Çollakoviqin drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Anesa ka përfunduar studimet master në zhvillimin ndërkombëtar në Ohio University në SHBA dhe ka përvojë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare në fushën e kulturës rinisë dhe sportit” – ka thënë Atiq.

Ndërsa, në krye të Drejtorisë së Arsimit është emëruar Vid Janiçijeviq.

“Z. Janicijevic është studiues i historisë dhe arkeologjisë”- ka thënë Atiq për drejtorin e emëruar.

Tutje përmes Facebook, Atiq ka njoftuar se drejtoreshë për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi është emëruar Shenaj Llapashtica.

Sipas njoftimit, Llapashtica ka studiuar arkitekturë në Mimar Sinan Fine Arts University në Stamboll në Turqi dhe e njëjta ka përvojë pune shumëvjeçare në Drejtorinë e Kadastrit dhe Urbanizmit.

Ndërsa, drejtor i Drejtorisë për Komunitete Lokale dhe Kthim është emëruar Jeton Rrahmani.

“Jetoni është studiues i drejtësisë, vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Aktivizmi i tij i gjatë me bazë në komunitet ka bërë që të njoh për së afërmi çështjet social-ekonomike të komuniteteve”- ka njoftuar Atiq.

Erden Atiq është betuar si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut më 19 maj.

Atiq në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka fituar 553 vota.