Kryetari i Rahovecit jep detaje për të infektuarit e rinj me COVID-19

Katër qytetarë nga komuna e Rahovecit kanë rezultuar sot pozitivë pas ritestimit për COVID-19.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se rastet janë familjarë të punëtores në Repartin e Hemodializës në Prizren.

“Rastet janë nga fshati Opterushë dhe janë raste kontakti (familjarë) të punëtores shëndetësore në repartin e hemodializës në Prizren, e infektuar ditë më herët në vendin e saj të punës”, ka shkruar Latifi në rrjetin social “Facebook”.

Gjithsej tetë raste me coronavirus janë rigjistruar sot në Kosovë.

Prej tyre, katër në Rahovec, dy në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri.

Totali i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 ka arritur në 927.