Kryetari i Preshevës dhe ai i Bujanocit i mirëpresin mjetet e ndara nga Qeveria Kurti

Mjetet e ndara nga Qeveria Kurti për Luginën e Preshevës janë mirëpritur nga dy kryetarët shqiptarë të komunave, Preshevë e Bujanoc.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi ka mirëpritur realizimin e pagesës së shumës prej 200 mijë eurove për komunën e tij.

Kamberi në një publikim në Facebook ka thënë se transferimi i këtyre të hollave nga Buxheti i Kosovës në buxhetin e komunës së Bujanocit ka vdenos një standard të ri.

Gjithashtu ai ka thënë se standard të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Luginës së Preshevës ka vendosur edhe Qeveria Kurti, duke e quqjtur dërgimin e të hollave “përkujdesje dhe përkrahje”.

“Sot, përfundimisht u përmbyll procedura e transferimit të 200 mijë eurove nga Buxheti i Republikës së Kosovës në buxhetin e komunës së Bujanocit. Hap i madh para. Realizim konkret. Vendimi i marrë javën e kaluar nga Qeveria Kurti u bë realitet. Standardi i ri i transferimit të drejtpërdrejtë në llogarinë e komunës është risia dhe fenomeni. Shuma prej 200 mijë eurove është po ashtu standard i ri i vendosur nga kjo Qeveri dhe nga Kryeministri Kurti. Përfshirja e Luginës me 500 mijë euro ndihmë është përkujdesje dhe përkrahje. Faleminderit Kosovë. Faleminderit Albin”, ka shkruar Kamberi.

Edhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi e ka falënderuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për ndihmën e dhënë në kohën e pandemisë COVID-19.

“Faleminderit Kryeministër KURTI për mbështetje në këtë situatë të jashtëzakonshme pandemie”, ka shkruar Arifi.

Ministria e Financave dhe Transfereve dje ka realizuar pagesën prej 500 mijë eurove të dedikuara për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, mjete këto të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Kështu ka njoftuar kjo ministri përmes një publikimi në Facebook ku ka njoftuar se 200 mijë euro janë ndarë për komunën e Preshevës, 200 mijë euro për komunën e Bujanocit dhe 100 mijë euro për komunën e Medvegjës.

“Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se me datën 27 prill, Thesari i Kosovës ka realizuar pagesat, përkatësisht donacionet, për të tri komunat. Sipas procedurave të zakonshme bankare, këto pagesa janë realizuar si transfere ndërkombëtare nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG” (Gjermani) në llogaritë e komunave në Bankën Qendrore të Serbisë, si ndihmë dhe solidaritet për popullatën e atjeshme në këtë kohë pandemie nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MFT.