Foto: Facebook/ Arta Vokshi Nallbani

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri flet për situatën me vërshimet

Peja është në mesin e komunave më të prekura nga vërshimet që kanë përfshirë Kosovën që nga dita e diel.

Reshjet e dendura të shiut po vazhdojnë edhe sonte në këtë qytet. Si pasojë e reshjeve që nuk po ndalen në disa zona është grumbulluar sasi e madhe e ujit.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një pëergjigje për KALLXO.com ka thënë se aktualisht situata është nen kontroll.

Ai ka thënë se të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren, teksa ka shtuar se për momentin nuk ka nevojë për intervenim të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në rregull është, është kthy kontrolli. Nuk ka vërshime askund. Të shkolla e zanateve është një pjesë, muri i kanalit nja dhjetë metra po sjell vërshime në ato lagje. Situata është nën kontroll në të gjitha pikat. Ato pikat që kanë sjellë problem janë sanuar. Krejt zjarrfikësit janë në terren. Janë lajmëruar edhe prej FSK-së por ne u kemi thënë se për momentin nuk ka nevojë. Tash të shohim… ” – ka thënë Muhaxheri për KALLXO.com.

Muhaxheri ka thënë për KALLXO.com se reshjet e shiut mund të sjellin ndonjë rrezik gjatës natës pasi që sonte në Pejë janë duke vazhduar reshjet e shiut të intensitetit të lartë.

“Po vazhdojmë reshjet e shiut dhe kjo është pak rrezik për natën se çfarë ka me ndodhë. Kodrat janë mbushur ujë dhe po e përcjellin ujin në rrafsh. Shiu po vazhdon me intensitet edhe më të lartë” – ka thënë tutje ai.

Si pasojë e reshjeve të denduara të shiut, Kosova ditëve të fundit po përballet me vërshime në disa rajone.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se edhe nesër do të vazhdojnë reshjet e shiut.

Sipas Institutit reshjet me intensitet dhe në sasi më të larta do të jenë në pjesën perëndimore të vendit.