Gazmend Muhaxheri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kryetari i Pejës arsyeton dhënien e tenderit për kompaninë e fëmijëve të Ramiz Kelmendit
Në prill të këtij viti, përmes procedurës së negociuar, Komuna e Pejës i ftoi tri kompani që të ofertojnë në një tender prej 100 mijë eurove.
E, tri kompanitë e përzgjedhura dolën se kanë një emër të përbashkët – Ramiz Kelmendi.
Komuna e Pejës u kërkoj ofertë kompanisë “Express store”, që sipas ARBK-së është në pronësi të fëmijëve të Ramiz Kelmendit, Albulena Kelmendi, Albina Kelmendi, Blerina Kelmendi dhe Egzon Kelmendi.
Gjithashtu, u ftua edhe kompania “Elkos Sh.P.K” që është në pronësi të ish-anëtarit të LDK-së, Ramiz Kelmendi. Dhe në fund, u ftua edhe kompania “Egi group” që është në pronësi të Egzon Kelmendit, djalit të Ramiz Kelmendit.
Në mesin e tri kompanive të familjes Kelmendi doli fituese “Express store” me çmimin më të ulët, prej 99 mijë e 742 euro e 50 centë.
Por, reduktimi i konkurrencës te kompanitë e një familjeje të vetme, nxiti Prokurorinë e Shtetit që të nisë hetime.
Në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri e ka arsyetuar dhënien e tenderit për ish-deputetin e LDK-së. Ai ka thënë se kompanitë e Ramiz Kelmendit i kanë çmimet më të ulëta në treg.
“Është energji negative me thënë i është dhënë ‘Elkos’-it, tenderi për pandemi, kur dihet që e vetmja firmë që i furnizon me çmimet më të lira, jo vetëm në Pejë është ndërmarrja e ‘Elkos’. Para se me qitë konkursin, unë i kam marr krejt çmimet, e pastaj iu kam thënë atyre të prokurimit hapeni konkursin. Kam pasë shokë e jarana, kam mujtë me iu thanë krahasoni edhe merreni”, ka thënë Muhaxheri.
Ai ka thënë se nuk ka çfarë të bëjë as Prokuroria e Shtetit. Ndërsa, ka insistuar se çmimet e ofruara nga kompanitë e familjes Kelmendi janë më të ulëtat në treg.
“Ato janë tri ndërmarrjet me çmimet më të lira, u dashtë me i kontrollu çmimet para se me qitë një lajm negativ. Çka ka me bë Prokuroria? Çmimet më të lira në tregun e Kosovës, krahasoji çmimet”, tha Muhaxheri.
Por, me këto pretendime të Muhaxherit nuk është pajtuar asamblisti nga partia Alternativa. Reshat Nurboja tha se Gazmend Muhaxheri e ka shkelur ligjin.
“Së pari kryetari ka bërë shkelje të ligjit. Komuna e ka operatorin e caktuar për furnizime ushqimore. Është dashtë me i marr aty, kjo i bie se e ka shkelë ligjin. Operatori nuk është vetëm për çerdhe, çdo komunë e ka këtë operator”, deklaroi ai.