Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i PDK-së refuzon ftesën e Kurtit për takim

“Shihemi në Kuvendin e Kosovës” – është përgjigjja që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ia dha kryeministrit, Albin Kurti, pas ftesës për takim nesër.

Krasniqi përmes një video të publikuar në profilin e tij në Facebook tha se nuk është i befasuar nga mënyra, sipas tij, joserioze e ftesës për takim të premtën.

Për këtë ftesë, Krasniqi tha se i shkoi pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, që e bëri Krasniqin të dyshojë nëse është e vërtetë ose jo.

“Një qasje kjo e juaja që fillimisht më bëri të dyshoj edhe në vërtetësinë e ftesës për shkak të përbuzjes së etikës së komunikimit institucional” – shprehet Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tha se vetëm pasi kërkuan sqarime kuptuan se takimi ishte ftuar të mbahej për një çështje që sipas tij është mjaft serioze – dialogu Kosovë-Serbi.

“Kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze siç është dialogu Kosovë-Serbi. Por, pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë” – tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi ia ka rikujtuar se nuk ka asnjë arsye që ta ftojë PDK-në në takim për “çështje teknike”.

Krasniqi tha se kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ata do të jenë aty, pra në takim me shefin e ekzekutivit.

I pari i partisë opozitare, PDK, tutje tha se ka ditë që në opinionin publik flitet për një dokument që, sipas tij, Kurti e ka në tavolinë.

Sipas tij, ky dokument është rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve që është ofruar nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Ju po e fshehni këtë fakt prej institucioneve dhe prej qytetarëve. Po ashtu ju nuk po i tregoni as elementet e atij dokumenti dhe as pozicionin tuaj në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës” – shprehet Krasniqi.

Ai tutje thotë se është shqetësuese mungesa e vazhdueshme e transparencës prej anës së kryeministrit dhe qasja joserioze që, sipas Krasniqit, Kurti mban për një temë kaq serioze.

“Siç e kam deklaruar edhe në shumë raste të tjera, PDK do të mbështesë një marrëveshje finale që ka si bazë njohjen e ndërsjellë dhe ruajtjen e rendit kushtetues të vendit tonë” – tha Krasniqi.

Tutje ai tha se PDK asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësitë shtetëtore dhe sipas tij kurrë nuk do ta bëjnë këtë.

Por, Krasniqi thotë se për tema të tilla, për vendime të mëdha, Kurti së pari duhet të bëhet serioz dhe ta kuptojë se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por salla e Kuvendit të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premtën në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend” – tha tutje Krasniqi.

Madje ai ia ofroi Kurtit edhe një opsion tjetër duke i thënë se nëse për shkak të ndjeshmërisë së procesit kërkon kujdes të shtuar, dhe nëse diskutimi në seancë të hapur të Kuvendit nuk është i preferuar për të, kjo mund të bëhet edhe në një seancë të mbyllur ashtu siç e parasheh ligji.

Një opsion i tillë Krasniqi tha se vlen me kushtin që pa vonesë Kurti do të dalë dhe do t’u tregojë qytetarëve se çfarë e ka ndërmend të bëjë dhe se cili është pozicioni i tij për dokumentin e përfolur lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi.