Hysni Gucati

Kryetari i OVL-UÇK-së thotë se një veteran u maltretua nga policia në Graçanicë

Kreu i Organizatave të Veteraneve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati po pretendon se veterani i UÇK-së Naim Beqiraj është keqtrajtuar psiqikisht nga policia në stacionin policor në Graçanicë, për shkak se siç thotë ai “vetëm pse është veteran i UÇK-së dhe është i pajisur me librezë të OVL-së”.

Gucati përmes një shkrimi në “Facebook”, ka kërkuar nga organet kompetente të merren me rastin në fjalë dhe kanë bërë apel në drejtim të institucioneve kosovare që raste të tilla mos të përsëriten.

“Është një fyrje e rëndë dhe turp i madh që i është bërë veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naim Beqiraj nga policia e Kosovës të stacionit  policor të Graçanicës të cilin e kanë maltretuar psiqikisht vetëm pse është veteran i UÇK-së dhe është i pajisur me librezë të OVL-së, ne kërkojmë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës të merren me rastin në fjalë dhe të marrin masa ndaj policëve të cilët e kanë maltretuar Naimin, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me familjet e dëshmorëve dhe invalidët janë kategoria të cilët meritojnë respektin me të madh në shoqërinë tonë, nuk tolerojmë raste të tilla të ndodhin, i bëjmë apel institucioneve të Kosovës që mos të përsëriten raste të tilla sepse nuk i meritojmë,  por nëse ndodhin prapë edhe ne dimë të veprojmë dhe të marrim masa ndaj tyre!”, thuhet në postimin e plotë të Gucatit.

Kallxo.com ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës lidhur me rastin në fjalë dhe deri në momentin e publikimit të këtij lajmi ende nuk ka pranuar përgjigje.