Kryetari i ri i OEK, Berat Rukiqi, Foto: RTV 21

Kryetari i OEK-ut, del kundër shtrëngimit të masave anti-COVID

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka rekomanduar të ashpërsohen masat për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Por, për këtë ka reaguar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.

Ai ka kërkuar përgjigje nga institucionet përgjegjëse për vendosje të masave anti-COVID se përse ato nuk janë ashpërsuar gjatë fushatës zgjedhore.

“Pse nuk u ashpërsuan gjatë fushatës. Pse u lejua që pamëshirshëm të shkelet çdo masë, në tubimet parazgjedhore? Tash prapë kthehemi te “fajtori kujdestar”: BIZNESET”, ka shkruar Rukiqi në llogarinë e tij në rrejtin social facebook.

Kujtojmë se, në përjashtim të partisë FJALA, të gjithë partitë tjera në vend gjatë fushatës së fundit zgjedhore kanë shkeluar masat anti-COVID.

KALLXO.com gjatë një hulumtimi për respektim të masave kundër COVID-19 ka parë se në objektin ku merren rezultatet e testit për coronavirus në IKShPK me dhjetra qytetarë kanë qenë të grumbulluar në këtë institucion dhe asnjë roje nuk ishte aty për të mbajtur rendin në mënyrë që të mos krijohet tollovi.

Më 21 mars 2020 në Kosovë ishte shënuar rasti i parë i vdekjes si pasojë e infeksionit, përderisa rasti i parë i infeksionit u regjistruar më 13 mars në qytetin e Vitisë.

Numri i rasteve të infeksionit ka filluar të rritet ditëve të fundit.