Kryetari i Odës së Mjekëve: Deri në fund të vitit mund të dyfishohet ikja e mjekëve nga Kosova

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se nga janari i këtij viti deri në muajin qershor, 76 mjekë kanë ikur nga Kosova.

Kështu ka deklaruar ai në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“76 mjekë kanë ikur në gjashtë muajt e parë dhe deri në fund të vitit do të bëhet dyfish”, tha Sejdiu.

Përveç kësaj Sejdiu potencoi se 800 mjekë janë të papunë, duke përfshirë edhe mjekë të specializuar.

Sejdiu po ashtu foli edhe për sfidat me të cilat është ballafaquar Oda e Mjekëve.

Sipas tij, anëtarësimi i mjekëve në odë është sfidë e parë.

“Sfida e parë ka qenë çështja e anëtarësimit, çështja e kolegëve tanë serbë të cilët hezitojnë të anëtarësohen në odën tonë. Unë mendoj se një ndër sfidat tona dhe të qeverisë është se si t’i qasemi kolegëve të anëtarësohen. Shpesh me rastin e inspektorëve e shohim se ende nuk janë edhe të licencuar”, tha ai.

Mirëpo, sa i përket financave Sejdiu tha se qëndrojnë shumë mirë.

“Sfida e profesionistëve shëndetësorë” është temë diskutimi sot në takimin ndërmjet kryetarëve të odave të profesionistëve shëndetësorë dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale.

Javën e kaluar KALLXO.com kishte raportuar se në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, 76 punëtorë shëndetësorë kanë përgatitur dokumentet që të largohen nga Kosova. Sipas kryetarit të Odës së Mjekësve të Kosovës, pakënaqësia mbi kushtet e punës dhe mungesës së kushteve për shkollim kualitativ janë arsyet se pse mjekët po largohen nga Kosova.

Më tutje ai shtoi se “nëse Fakulteti i Mjekësisë çdo vit diplomon përafërsisht 250 studentë dhe se nëse llogaritet që në më shumë se gjysmën e çdo viti të largohen 76 mjekë, i bie që çdo vit të largohen 145 mjekë”.

Sejdiu tha se kjo është për t`u shqetësuar dhe se është koha e fundit që Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrë masa për këtë çështje.