Kryetari i Odës së Avokatëve nuk i përgjigjet kritikave për objektin e odës

Oda e Avokatëve të Kosovës po përballet me probleme në lidhje me blerjen e objektit ku do të vendosen zyret e avokatëve.

Në emisionin  “Drejtësia në Kosovë”, u transmetuan intervista e avokatit Nasuf Hasani, i cili po përfaqëson një grup të avokatëve që po e kundërshtojnë blerjen e objektit në vlerë rreth 1 milion euro.

Sipas avokatit Hasani, ky objekt është blerë pa asnjë transparencë ndërsa thotë tutje se veprimet janë marrë edhe nga një këshill drejtues që nuk ka legjitimitet.

Ai ngriti dyshimet rreth blerjes së objektit deri sa paralajmëroi se do të ndërmerren masa nga ana e avokatëve.

Drejtësia në Kosovë përmes telefonit ka kontaktuar edhe kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havollin i cili nuk pranoi të flasë për këtë çështje duke e quajtur temën si shqetësim.

“Po lene këtë punë aman, se s’është kjo punë për drejtësi, mani kështu sepse… jo, mosni por kjo nuk është punë e drejtësisë. Kjo ka qenë në shpallje publike dhe ka pasur edhe ekipin e tenderimit, këshilli drejtues, unë e di se kush është duke i prirë kësaj pune. Prej një çështje pozitive me shndërru në diçka që nuk është e mirë”, ka thënë ai përmes telefonit.

Tutje ai kundërshtoi se nuk ka pasur transparencë në blerjen e këtij objekti.

“Nuk kam nevojë me u deklaru, unë kam ble shpinë, Oda e Avokatëve është bërë me shtëpi.  Po shko merrni informacionet i keni të publikuar në uebfaqe, e keni të gjithën në uebfaqen, të gjitha dokumentacionet kanë qenë transparente.  Jeni duke i prirë të mbrapshtës, unë e di kush e ka marrë primatin për këtë rast. Unë për këtë çështje kam qenë në publik dhe ju mund të i referoheni vetëm ato që i kemi publikuar dhe kanë qenë në mënyrë transparente.”tha ai.

Objekti gati 1 milion euro është blerë ndërsa pjesa e parë e pagesës është kryer në shkurt të këtij viti.

Objekti i ri i cili gjendet në lagjen “Lakrishtë” e i cili ishte pranuar nga këshilli drejtues i OAK-së si objekt për avokatët nuk ofron sipas avokatit Nasuf Hasani, kushte as të parkingjeve për avokatët ndërsa shton se i gjithë procesi i blerjes së këtij objekti nuk ka qenë transparent.

“Objekte meqenëse në njërën nga mbledhjet kemi qenë dhe i kemi shikuar, mirëpo duhet ta themi hapur përderisa ka ofruar kushte më shumë oferta e parë dhe ka qenë më e lirë 420 euro ma pak këtu s’kemi me çka të diskutojmë se përkufizohet cila ka qenë më e mirë”, tha Hasani.

Hasani tutje tregoi se cilat ishin ofertat e dy objekteve për parkingje.

“Oda e Avokatëve tashmë përbëhet nga 900 avokatë, përshembull po planifikon me investu 1 milion euro e avokatët nuk kanë vend ku me parku veturën, kjo është absurde. Oferta e parë i ka ofru 10 parkingje ndërsa oferta e dytë nuk ka ofruar as hapësirë as për parkingje e as për staf administrative”, tha Hasani”, shtoi Hasani.

Më poshtë mund ta gjeni emisionin e plotë: