Kryetari i Odës Ekonomike, propozon që të fillojë rihapja e disa bizneseve

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë propozime që të fillojë rihapja e vendit dhe të nisë zbutja e masave për disa biznese.

Ai në një shkrim në Facebook ka disa hapa qe duhet te behën drejt hapjes graduale të veprimtarive biznesore dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Rukiqi ka thënë se duhet të ketë një plan real që nuk është i bazuar mbi paragjykime e as në ekzagjerim të situatës “Na duhet një model që na funksionon”.

Ai rekomandoi edhe disa veprime që duhet t’i ndërmarrin institucionet në javët dhe muajin në vijim.

Sipas tij në javën që vjen, Prishtina duhet të largohet nga karantina, dhe të fillohet të lejohet puna në sektorë që kanë rrezikshmëri të ulët, si ndërtimtaria dhe prodhimi dhe të vazhdohen lehtësirat fiskale.

Ndërsa gjatë muajit maj duhet të mundësohet fillimi i punës në tërë zingjirin e shitjes me pakicë, përkatësisht në objekte deri 800 m2 si dhe të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve.

Rukiqi tha se më 10 qershor duhet të jetë e gatshme edhe korniza e rimëkëmbjes ekonomike që duhet bazuar në analiza makroekonomike.

Ai gjithashtu rekomandoi edhe bizneset që të bëjnë plane dhe organizime.

Për nxitje të konsumit, Rukiqi tha se duhet të futen edhe mjetet e trustit apo financimi nga instrumente bankare.

Ndërsa sipas tij kompanitë duhet të ndërmarrin masa të tjera duke u pasjisur me masa mbrojtëse adekuate, duke instaluar sisteme të rregullta të dezinfektimit, dhe duhet përgatitur hapësira të punës për të ruajtur distancës sociale.