Kryetari i Obiliqit infektohet me COVID-19

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Gashi ka njoftuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se gjendet në vetizolim.

“Përkushtimi dhe puna në shërbim të qytetarëve po vazhdon me intensitetin e njëjtë ndërsa unë do të punoj nga shtëpia deri në stabilizimin e gjendjes shëndetësore. Meqë përhapja e këtij virusi ka filluar të shënojë ngritje,kërkoj që të respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore!”, ka shkruar kryetari Gashi.

Ditëve të fundit rastet e reja me COVID-19 kanë pësuar ngritje.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 304 raste pozitive me COVID-19.