Kryetari i Novobërdës nuk vjen në Gjykatë

Svetisllav Ivanoviq, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk është paraqitur sot në gjykatë.

Ai po akuzohet se i ka dhënë një shoqate të gjuetarëve në shfrytëzim tokën dhe një zyre të komunës në mënyrë të jashtëligjshme.

Sipas njoftimit që i akuzuari i dha gjykatës, ai gjendet në tretman mjekësor në një spital të Prishtines.

Të njëjtit, gjykata paraprakisht i kishte lëshuar urdhërarrest për shkak të mungesës në gjykatë.

Me këtë rast, trupi gjykues vendosi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.

“Ftesave për seancën e sotme i janë përgjigjur Prokurori, Avokati Mbrojtës, Dëshmitarët dhe i dëmtuari, ndërsa mungojnë përfaqësuesi i Komunës se Novobërdës i cili është ftuar në mënyre të rregullt por mungesën nuk e ka arsyetuar, gjithashtu mungon i akuzuari për të cilin është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë por Gjykatës sot i ka ardhur një kërkesë për shtyrje të seancës sepse i akuzuari është i sëmurë dhe gjendet në një spitalin në Prishtinë, kërkesës i është bashkangjitur një raport mjekësor nga një ordinancë mjekësore”. tha kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi.

Seanca u shty për muajin nëntor.

Sfetisllav Ivanoviq akuzohet se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kolonja”, në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës se Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i ka  shkelur seriozisht te drejtat e personit juridik “Ujku”, në atë mënyrë që ne kundërshtim me ligjin dhe udhezimet administrative ka nxjerr njoftimin ku  për vitet 2017/2018 shoqatës së gjuetarëve “Kolonja”, i ka dhënë në shfrytzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës duke i  mundësuar përfitim material prej 11 mijë 260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i ka dhënë shoqatës së njejtë në shfrytëzim një zyre në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.