Kryetari i Mitrovicës i viziton ish krerët e UÇK-së në Hagë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka vizituar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.

Hamza ka njoftuar sot se ka takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

“Ata si gjithmonë me moral të lartë e atdhedashuri të palëkundur”- ka shkruar Hamza.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre po rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK