Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Mitrovicës dhe deputeti i LVV-së paralajmërojnë përballje në gjyq

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi ,dhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, kanë paralajmëruar përballje në gjykatë.

Paralajmërimi për përballje në gjyq vjen pas pretendimeve të Thaçit se Bedri Hamza  ka mbajtur takim me përfaqësues të Listës Serbe.

“Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe njëherit nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe përfaqësuesë të tjerë të kësaj partie kanë mbajtur takim dyorësh me përfaqsuesit e Listës Serbe në një nga restorantet e fshatit Milloshevë të Kastriotit”- ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Është e rrezikshme dhe shqetësuese se si subjekti që para ca ditësh tha se po lëshon institucionet e Republikës së Kosovës, po lufton çdo ditë shtetin tonë, konsultohet çdo ditë me Vuçiqin sot takohet edhe me një parti të opozitës në Kosovës”- ka shtuar Thaçi.

Pas këtyre pretendimeve ka reaguar i pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili tha se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim dreke me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe me atë të Skenderajt, Fadil Nura.

“Gjatë ditës së sotme, me ftesë të kryetarit të Vushtrrisë, z. Idrizi, unë dhe Z. Fadil Nura kemi zhvilluar nje drekë pune për të diskutuar për zhvillimet në ndërmarrjen e përbashkët komunale “Uniteti”. Gjatë kësaj dreke, unë as nuk kam parë, as nuk kam biseduar me asnjë  anëtar apo deputet të Listës serbe” – ka deklaruar Hamza në Facebook.

Hamza shkrimet e deputetit Thaçi i ka quajtur shpifje dhe ka shtuar se me të do të ballafaqohet së shpejti në gjykatë.

“Sa i përket gënjeshtrave dhe shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të ballafaqohemi së shpejti në gjykatë”- ka thënë Hamza.

Më pas ka reaguar sërish Thaçi, duke thënë se ka fakte për ato që thotë.

“Fort qenkan tronditur lidershipi i PDK për takimin që ua zbulova. Unë kam fakte dhe shihemi në gjykatë”- ka thënë Thaçi.