Abdylhadi Krasniq, kryetar i Mamushës

Kryetari i Mamushës nuk e largon nga puna mikun - zyrtar, i dënuar dy herë nga Gjykata

Kryetari i Mamushës nuk po e largon nga puna mikun e tij – vëllanë e gruas, i dënuar dy herë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Koordinatori i Gjendjes Civile në Komunën e Mamushës, Mirat Shala, brenda dy viteve të fundit dy herë është dënuar për veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar.

Por, përkundër kësaj, i njëjti vazhdon ta kryejë këtë funksion në Komunën e Mamushës.

Mirat Shala në nëntor të vitit 2019 ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit për veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar.

I njëjti e kishte pranuar fajësinë për veprën penale.

Gjykata Shalës i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajsh, e këtë dënim ia ka zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 1,200 euro.

KALLXO.com mëson se Mirat Shala është vëllai i gruas së kryetarit të Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniq.

Kryetari i Komunës së Mamushës e ka pranuar se Mirat Shala është miku i tij, por thotë se ende nuk kanë gjetur zgjidhje për koordinatorin e dënuar dy herë nga Gjykata për falsifikim të dokumentit zyrtar.

“Po, jemi në njohuri. Kemi marrë edhe vendimin e Gjykatës edhe do të shohim mundësinë me zëvendësu këtë zyrtar me një koordinator tjetër”, thotë kryetari Krasniq.

I njëjti thotë se po presin që Ministria  e Punëve të Brendshme të përfundojë procedurat administrative dhe një zyrtar tjetër do të zëvendësojë koordinatorin Mirat Shala.

Në janar të vitit 2018, Mirat Shala ishte dënuar për veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar.

Ai e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim 6 muaj me kusht me periudhë verifikimi 1 vit.

Por, përkundër faktit që zyrtari Mirat Shala ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale, kryetari i Komunës vlerëson se ka qenë një gabim teknik nga zyrtari, ndërsa tash kur situata është përsëritur për herë të dytë, tashmë po shikohet mundësia e zëvendësimit.

“Edhe rreth një muaj mendoj që do të përfundojnë procedurat dhe ky zyrtar do të zëvendësohet nga një koordinator tjetër”, deklaroi kryetari Krasniq.

Në tetor të vitit 2019, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj koordinatorit të Gjendjes Civile në Mamushë, Mirat Shala, nën akuzat për falsifikim të dokumentit zyrtar – aktvdekjes, ndërsa i bashkakuzuari Arif Mazrek akuzohej për legalizim të përmbajtjes së rreme.

Mirat Shala në nëntor të vitit 2019 është dënuar sepse në shkurt të vitit 2016 ka përpiluar aktvdekjen për të ndjerin Ramadan Mazreku, duke i përfshirë si trashëgimtarë bashkëshorten e të ndjerit dhe katër djemtë e tij.

Sipas aktakuzës, zyrtari Mirat Shala në këtë aktvdekje nuk e ka përfshirë edhe trashëgimtarin tjetër, Zylfi Shanli, e për këtë veprim ai po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, aktvdekja e përpiluar nga i akuzuari Shala është përdorur në ndërkohë si provë për trashëgimi te noteri.

Bashkë me koordinatorin e Gjendjes Civile,  është akuzuar edhe i pandehuri Arif Mazreku, i cili  sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.

I njëjti është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh e ky dënim i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 800 euro.

Por, sipas aktakuzës, zyrtari Mirat Shala në këtë aktvdekje nuk e ka përfshirë edhe trashëgimtarin tjetër Zylfi Shanli, e për këtë veprim ai po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, aktvdekja e përpiluar nga i akuzuari Shala është përdorur në ndërkohë si provë për trashëgimi te noteri.

Sipas aktakuzës i pandehuri Arif Mazrek  ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

I njëjti, sipas Prokurorisë, pas datës 2 shkurt të vitit 2016, ka shkuar në një zyrë noterie në Mamushë dhe ka dorëzuar aktvdekjen e përpiluar nga i bashkakuzuari Mirat Shala si zyrtar i Gjendjes Civile, e në bazë të aktvdekjes, zyra noteriale ka sjellë aktvendim të trashëgimisë, pa qenë i përfshirë edhe trashëgimtari Zylfi Shanli.